Martini: Përgëzoj djemtë për lojën e zhvilluar, synojmë lojtarë cilësorë në merkato

Trajneri i Teutës, Edi Martini ka folur për Oversport pas barazimit 1-1 përballë Egnatias.

“I kënaqur me pikën? Është e vërtetë që edhe mund të humbisnim, por në fund kishim raste për të fituar takimin. Ekipi luajti më mirë se sa e kisha parashikuar. Kalendari është i ngjeshur, kemi luajtur me formacionin titullar edhe në Kupë dhe jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës.

Kallaku? Jam i kënaqur me të dhe lojtarët e tjerë që u futën nga stoli. Arritëm të shënonim dhe të rrezikonim. Përgëzoj djemtë për lojën e zhvilluar. Merkato? Kemi nevojë për përforcime, por nuk e kemi luksin që të marrim lojtarë për ti lënë në stol. Shpresoj që ti gjejmë në këto pak ditë që kanë mbetur. Pika është e vlefshme, por para ndeshjes nuk do të isha i kënaqur më barazimin. Egnatia është një skuadër shumë e mirë, prandaj jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.

Kemi punuar për të ndryshuar mentalitetin e skuadrës, kemi ndryshuar disa gjëra dhe mendoj që jemi në rrugën e duhur. Shpresoj që të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe të ecim sa më përpara. Na duhet një sulmues dhe një mbrojtës. Synojmë lojtarë cilësorë që të bëjnë diferencën në skuadër”, ka thënë Martini. / Oversport.tv