Martini: Teuta ime di të ringrihet, barazimi me Kastriotin djeg ende

Edi Martini ka dalë para mediave në prag të ndeshjes së Teutës kundër Laçit. Tekniku shkodran fillimisht foli për reagimin në Kupë kundër Korabit, por ende e ka peng barazimin e arritur kundër Kastriotit në stadiumin “Loro Boriçi” javën e shkuar.

“Normalisht ishin dy ndeshje që duheshin fituar, si me Kastriotin ashtu edhe me Korabin. Bëmë detyrën në Kupë, që është me dy takime. Pavarësisht se aktivizuam shumë lojtarë të rinj, e arritëm objektivin e vendosur. Gjithsesi akoma na djeg barazimi me Kastriotin.

Gjithsesi jemi motivuar më tepër prej atij barazimi dhe kemi punuar më shumë. Duhet ta harrojmë sa më shpejt atë ndeshje, pasi për 75 minuta e kontrolluam lojën në çdo drejtim. Më pas i lamë hapësira kundërshtarit dhe pësuam gol. Tani është e shkuara ajo ndeshje”, tha Martini.

Më pas, në lidhje me Laçin, shkodrani shtoi: “E rëndësishme është të rrisim nivelin e lojës, ende nuk jemi tek ekipi i vjetshëm. E kam thënë që është një kampionat i vështirë dhe i tillë po rezulton. Më ngjan me kampionatin e sezonit të shkuar. Nëse vjet ishte Vllaznia në krye të klasifikimit dhe ekipet që luajtën në Europë kishin shumë lodhje, sivjet janë Tirana e Kukësi që po përfitojnë. Ato vijnë pas një faze përgatitore shumë e gjatë.

Ne, Laçi, Vllaznia apo edhe Partizani po vuajmë pasojat e kupave të Europës. Gjithsesi e rëndësishme është të rrisim nivelin e lojës dhe të marrim sa më shumë pikë. Ndeshja me Laçin është një ndeshje e hapur, që i ka të tri rezultatet. Do kërkojmë të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të marrim rezultat pozitiv”.

“A më kënaq barazimi? E kam thënë e stërthënë që ne luajmë kudo për fitore. Pastaj loja është ajo që tregon nëse të kënaq barazimi apo fitorja. Ekipet janë shumë të balancuar dhe Laçi është një ekip me shumë lojtarë cilësorë.

Po ashtu edhe ndryshimi i trajnerit ndikon, ata kanë fituar dy ndeshje radhazi. Kështu që është një ndeshje e vështirë, por ne do të luftojmë për tre pikë. Nuk i druhem asgjëje, i druhem vetes tonë. Duhet të tregojmë nivelin që kemi treguar, autoritetin në fushë dhe të ecim përpara”.

“Kemi lënë në mesjavë disa lojtarë për të pushuar, të jemi gati për Laçin. Kemi kohë të vendosim për formacionin. Na kthehet Koubemba që ka qenë i dëmtuar, sikurse edhe Acquah. Janë të dy të gatshëm për formacionin.

Pika më e fortë e skuadrës time është karakteri. Në momentet më të vështira, atëherë kur është rrëzuar, është çuar shpejt në këmbë. Shpresoj të çohemi në këmbë sërish shpejt, pasi me Kastriotin ishim shumë pranë. Shpresoj dhe besoj te reagimi djemve, Uroj të marrim tre pikët”. / oversport.tv