Mashtrimi me bilancin rreth 282 milion, në skenë del emri i Ronaldos

Në hetimin e Prokurorisë së Torinos dhe të Guardia di Finanza për bilancet e Juventusit, del në skenë edhe emri i Cristiano Ronaldos.

Po shikohen edhe dokumentet që tregojnë marrëdhëniet ekonomike mes klubit bardhezi dhe yllit portugez, që deri tani nuk rezulton nën hetim. Por ushtarakët kanë marrë nga hetuesit detyrën për të kërkuar “dokumente dhe marrëveshje personale” në lidhje me kontratën dhe pagat e prapambetura të CR7.

Po kërkohet “një letër e famshme, që në teori nuk duhet të ekzistojë”. Sipas asaj që flitet, bëhet fjalë për një dokument të shkruar privat që tregon marrëdhënien ekonomike mes Juventusit dhe Ronaldos.

Hetuesit janë të bindur për ekzistencën e këtij dokumenti pasi ka dalë në skenë pas një bashkëbisedimi të përgjuar. Sipas hetuesve plusvalencat fiktive janë rreth 282 milion euro. /Oversport.tv