Mbappe dhe Giroud futen në histori, edhe Franca thyen një rekord

Franca mposhti Poloninë 3-1 dhe siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës, Katar 2022. Për herë të parë në historinë e saj kombëtarja franceze arrin që të kualifikohet në çerekfinale në 3 edicione radhazi të Botërorit (2014, 2018 dhe 2022).

Kylian Mbappe shënoi një dygolësh në suksesin ndaj Polonisë. Sulmuesi i Francës ka arritur të realizojë 9 gola në Botëror (2018 dhe 2022) para se të mbushë 24 vjeç. Askush më parë nuk ka arritur që të bëjë diçka të tillë.

Me 5 golat e shënuar deri më tani në Katar 2022, Mbappe ka arritur të kalojë veten, pasi në vitin 2018 shënoi 4 gola në 7 ndeshje të luajtura.

Me golin e shënuar ndaj Polonisë, Olivier Giroud kaloi Thierry Henry dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Francës me 52 gola të shënuar. / Oversport.tv