Mbappe kërkon klauzolën speciale në kontratën me Realin

Kyilian Mbappe ka bërë lëvizjen e fundit për të firmosur një kontratë, qoftë kjo me Realin e Madridit që e kërkon me çdo kusht, apo me PSG-në që po përpiqet t’ia rinovojë. Përmes një letre ai ka bërë me dije se ka shumë dëshirë që të luajë në Lojërat Olimpike të Parisit, në vitin 2024.

Ka qenë nëna e tij, Fayza Lamari, e cila në një intervistë për “Le Parisien” thotë se do të bëjë gjithçka për t’ia përmbushur ëndrrën djalit të saj që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

“Diçka e tillë do të shkruhet në klauzolën e kontratës së tij. Edicioni i ardhshëm do të luhet në qytetin e lindjes së tij. PSG-ja nuk është kundër që ai të shkojë”, thotë nëna e tij.

Kjo deklaratë e familjes Mbappe duket se është një sinjal për Realin e Madridit dhe presidentin Florentino Perez, i cili duhet të pranojë kushtet që i vë kampioni francez.

Sigurisht që nëse duan ta transferojnë në “Bernabeu” duhet  që të pranojnë edhe kërkesat që ka Mbappe. Tani topi është në anën e klubit spanjoll. /Oversport.tv