Mbappe ngre peshë “Parc des Princes”, City hipotekon kualifikimin

Një fitore e çmendur e PSG në Parc des Princes” ndaj Real Madridit. Ishte Kylian Mbappe ai që vendosi takimin vetëm në frymën e fundit duke shënuar edhe golin e vetëm të këtij takimi.

Gjatë takimit ishte PSG që tregoi më shumë këmbngulje për të shënuar, por pa fat. Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Kylian Mbappe që u ndal nga Courtois.

Portieri i Realit u kthye në hero më pas në minutën e 61 kur PSG pati edhe rastin më të mirë deri në atë moment të takimit. Carvajal ndërhyri keq ndaj Mbappe dhe gjyqtari i takimit akordoi një 11-metërsh.

Penalltinë e mori përsipër Messi, por Courtois ndaloi gjithçka duke mos e lejuar topin të hynte në rrjetë. Megjithatë, ai që pritet të bëhet së shpejti idhulli i tifozërisë së madrilenëve vendosi gjithçka.

Në frymën e fundit, Mbappe ishte i pandalshëm nga mbrojtësit e Realit dhe portieri duke vulosur edhe rezultatin në 1-0.

Në sfidën tjetër, Manchester City ka “hipotekuar” kualifikimin që në ndeshjen e parë kundër Sporting. Ekipi i Guardiolës fitoi me rezultatin e thellë 5-0.

Vetëm 7 minuta duroi Sporting përpara se të nxirrte nga porta topin pas golit të parë të shënuar nga Mahrez. Më pas Bernardo Silva dyfishoi gjithçka pas një goditjeje shumë të bukur.

Foden ishte ai që shënoi golin e tretë të takimit, ndërsa pokeri u plotësua nga Bernardo Silva që shënoi dhe golin e dytë personal.

Në pjesën e dytë, Bernardo Silva mund të plotësonte tripletën personale, por sistemi VAR anuloi golin e tij të tretë për pozicion jashtë lojë. Megjithatë, Raheem Sterling e ktheu Cityn me pesë yje pasi vulosi rezultatin final me golin e tij duke e mbyllur takimin në 5-0. /oversport.tv

CHAMPIONS LEAGUE (1/8 e finaleve)
PSG – Real Madrid 1-0
Shënues:
Mbappe 90+4’

Sporting – Manchester City 0-5
Shënues:
Mahrez 7’, Silva 17’, 44’, Foden 32’, Sterling 58’

Foto: Champions League Twitter