Mbaron koha e Preziosit te Genoa, 777 Partners janë pronarët e rinj të klubit

Pas 18 vitesh Genoa ndryshon pronar. Nga burime të sigurta për “Gazzetta dello Sport” është marrë vesh se presidenti Enrico Preziosi ka firmosur shitjen e të gjithë paketës aksionare të klubit kuqezi, fondit amerikan 777 Partners, që zotëron aktualisht 6% të aksioneve të klubit spanjoll të Sevilla.

Preziosi kishte marrë pronësinë e Genoas në verën e vitit 2003, duke e shpëtuar nga falimentimi, pasi mbuloi me shpenzimet e veta borxhin prej 27 milion eurove në atë kohë, duke shpëtuar kështu klubin nga dështimi ekonomik.

Në orët në vazhdim, ose gjatë ditës së nesërme do të bëhet edhe zyrtarizimi i shitjes dhe prezantimi i pronarëve të rinj. Preziosi nuk do të mbajë asnjë pjesë të aksioneve të klubit, por mund të marrë një detyrë zyrtare.

Mbyllet cikli i gjatë i një presidenti, në historinë e Genoas asnjë pronar nuk e kishte drejtuar për thuajse 20 vite, dhe nga nesër fillon një epoke e re për këtë klub. /Oversport.tv