Mbrëmja e Boksit në Oversport dhe Tibo, ndryshon kundërshtari i Jurgen Uldedaj

Ishte programuar që të përballej me Pablo Cesar Villanueva, por kundërshtari i Jurgen Uldedaj në sfidën e boksit më 4 shkurt ka ndryshuar. Për shkak të një problemi shëndetësor, Villanueva nuk do të jetë kundërshtari i boksierit shqiptar, por përballë tij do të vendoset argjentinasi tjetër, Bruno Igor Hong.

Boksieri i njohur shqiptar Jurgen Uldedaj do të rikthehet në ring në arenën “York Hall” në Londër në datën 4 shkurt, në një mbrëmje magjike që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Uldedaj do të debutojë në Britaninë e Madhe, që këto vitet e fundit është kthyer në qendrën e boksit profesionist, ashtu siç ishin SHBA-të vite më parë.

Boksieri 25-vjeçar nga Lezha, që ka edhe pasaportë gjermane, ka një karrierë të spikatur në boksin profesionist ku ka arritur të koleksionojë 14 fitore në po aq sfida të zhvilluara, ku 5 nga këto triumfe kanë ardhur me Knock Out (KO).

Jurgen Uldedaj aktualisht është kampion në tre disiplina: WBO Youth World Champion, WBC Youth World dhe BDB International Champion.

Rivali i Uldedaj, Bruno Igor Hong është një boksier 33-vjeçar që në karrierën e tij si profesionist ka zhvilluar 21 sifda ku ka fituar 11, ka barazuar 2 dhe ka humbur 8 beteja.

Një mbrëmje të madhe boksi do të ndiqni të shtunën e 4 shkurtit në Oversport dhe Tibo prej orës 20:00. /oversport.tv