Mbrojtja më e mirë dhe një sulm i frikshëm, Napoli pretendenti kryesor për titull

Napoli është skuadra e vetme që ka marrë maksimumin e pikëve në këto 6 javë të para të Serie A. Në ecurinë perfekte të skuadrës napoletane kanë lënë shenjën e tyre sulmuesit Victor Osimhen dhe Lorenzo Insigne.

Nigeriani, së bashku me Benzema, është ai që ka shënuar më shumë gola (6) në muajin shtator në 5 kampionatet më të rëndësishme të Europës, ndërsa kapiteni “axurr” është ndalur në 2 realizime, por ka dhënë edhe tre asist, duke u konfirmuar lideri i kësaj skuadre.

Por, ka edhe një statistikë tjetër tek skuadra e Spallettit që impresionon akoma më shumë: 2 gola të pësuar në 6 ndeshje, mbrojtja më e mirë e kampionatit. Këto statistika tregojnë ekuilibrin taktik që dominon në kampin napoletan.

Duket qartë aftësia e këtij Napoli për të gjetur rrugën e rrjetës, me 16 golat e shënuar deri tani në kampionat është sulmi i dytë më i mirë në Serie A pas atij të Interit.

Por, puna e Spallettit shihet sidomos në repartin e prapavijës (mbrojtja më e mirë e turneut), me një skuadër pothuajse identike me atë të vitit të kaluar, ku Koulibaly është rikthyer në nivele shumë të larta, ndërsa Rrahmani është integruar shumë mirë në mekanizmat e skuadrës.

Me këtë nisje shumë të mirë, ashtu si në sezonin 2017/2018, kur ëndrra për titull u shua pas humbjes në Firenze dhe fitores së kontestuar të Juventusit kundër Interit, Napoli shpreson të fitojë titullin e lakmuar. /Oversport.tv