Mbyllet cikli i Tites, Brazili ëndërron Guardiolën në stol

Pas 6 vitesh dhe 2 zhgënjimeve në Kupën e Botës ka përfunduar cikli i trajnerit Tite në krye të Brazilit. Trajneri, që drejtonte kombëtaren braziliane që nga viti 2016 dhe arriti të fitojë Kupën e Amerikës në vitin 2019, konfirmoi vendimin për tu larguar nga posti i tij pas eliminimit nga Kroacia në çerekfinalet e Botërorit, Katar 2022.

Tashmë ka nisur gjuetia për të gjetur zëvendësuesin e tij dhe ëndrra e federatës braziliane dhe e një populli të tërë ka një emër dhe një mbiemër: Pep Guardiola.

Një mision thuajse i pamundur sepse tekniku spanjoll sapo ka rinovuar kontratën me Manchester City deri në vitin 2025 dhe ka një pagë shumë të lartë për buxhetin e federatës braziliane, më shumë se 20 milionë euro në sezon.

Guardiola duket se është i destinuar për të mbetur një ëndërr, por nuk mungojnë edhe emrat e tjerë për të marrë vendin e lënë bosh nga Tite. Abel Ferreira, Jorge Jesus, Dorival Junior, Fernando Diniz, Renato Gaucho, Cuca, Rogerio Ceni, Mano Menezes dhe Jorge Sampaoli janë ata që lakohen më shumë. / Oversport.tv

Foto: Manchester City Twitter