Mbyllet sot java e parafundit e Serie A/ Vëmendja shkon në mbrëmje tek Juventus-Milan

E diela në Oversport dhe Tibo mbyll javën e 37-të të Serie A. Ditën e sotme do të luhen plot 5 takime të vlefshme për javën e parafundit të kampionatit italian që do të transmetohen në Oversport dhe Tibo.

Ndeshja e parë e ditës së sotme është Verona-Empoli në orën 12:30. Këta të fundit e kanë siguruar matematikisht qëndrimin në Serie A, ndërsa Verona akoma jo dhe do t’i duhet me patjetër të fitojë për të dalë nga vendi i 18-të.

Më pas në orën 15:00 do të luhen dy sfida interesante si Monza-Lecce dhe Bologna-Napoli. Kampionët e Italisë do të kërkojnë të ruajnë fformën e tyre të mirë dhe kësaj radhe duan të mposhtin Bolognan në transfertë.

Në orën 18:00, Lazio do të presë në “Olimpico” të Romës miqtë e Cremoneses. Këta të fundit kanë rënë nga kategoria, ndërsa lacialët duan të marrin tre pikë që të ruajnë vendin e dytë të Serie A.

Emocione të forta do ketë në mbrëmje në orën 20:45, ku do të luhet supersfida Juventus-Milan. Bardhezinjtë ende nuk janë dorëzuar dhe do të kërkojnë me patjetër të mposhtin Milanin dhe të shpresojnë tek një mrekulli në javën e fundit për të prerë një biletë për në Champions League.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë e Piolit nuk duan të bëjnë hapa fals dhe sonte në “Allianz Stadium” kërkojnë të konfirmohen si skuadra e radhës që pret biletën për në Champions. /oversport.tv