Mbyllet Turneu i Përfaqësueseve Rajonale, Tirana dhe Shkodra, kampionët e grupmoshave U-13, U-14 dhe U-15

Turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit uli siparin këtë të premte me tre takimet finale për tre grupmoshat e ndryshme, U-13, U-14 dhe U-15.

Të treja këto ndeshje u zhvilluan në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Elbasani – Shkodra ishte finalja e grupmoshës U-13, një takim i fituar nga shkodranët e vegjël me rezultatin e pastër 2-0. Si futbollistët e Elbasanit, ashtu edhe lojtarët e Shkodrës dhuruan një paraqitje fantastike. Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0, ndërsa me nisjen e fraksionit të dytë, shkodranët kaluan në avantazh të dyfishtë në harkun kohor të dy minutave, fillimisht me Kullën e më pas Samuel vulosi rezultatin 2-0, duke u shpallur kështu kampionë të kësaj grupmoshe.

Në finalen e grupmoshës U-14, Tirana – Fieri, kryeqytetasit u shpallën fitues të kësaj grupmoshe, pas një ndeshjeje vërtetë emocionuese. Koha e rregullt u mbyll me barazimin 1-1, teksa gjithçka u vendos nga penalltitë. Ishin fierakët ata të cilët kaluan të parët në avantazh, që në minutën e 13-të me Hysenin, duke e mbajtur këtë rezultat për 46 minuta. Në minutën e 59 të pjesës së dytë, Bakalli barazoi rezultatin e takimit në 1-1. Kryeqytetasit u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltive, duke fituar me shifrat 4-3 e duke u shpallur kampionë të kësaj grupmoshe në turneun e përfaqësueseve rajonale.

Tirana u shpall kampione edhe në finalen e grupmoshës U-15, pasi mundi me rezultatin 3-2 ekipin e Fierit, në një ndeshje që prodhoi spektakël e gola. Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh me Himallarin, që në minutën e 7-të të takimit, ndërsa Ademi dyfishoi shifrat në minutën e 28-të. Mali realizon një gol mjaft të bukur për Elbasanin, duke ngushtuar rezultatin një minutë më vonë. Pjesa e parë e ndeshjes mbyllet me epërsinë e Tiranës 2-1, ndërsa në fraksionin e dytë, kryeqytetasit realizojnë edhe golin e tretë me Mesin. Një ndërhyrje e gabuar i kushton shumë kryeqytetasve, me arbitrin kryesor që akordon penallti në favor të Elbasanit. Lushaku e shfrytëzon më së miri këtë rast, duke e kthyer 11-metërshin në gol, e duke ngushtuar sërish rezultatin në 3-2. Pavarësisht përpjekjeve të futbollistëve elbasanas, rezultati mbetet i pandryshuar dhe Tirana shpallet kampione edhe në këtë grupmoshë në këtë turne.

Pjesë e këtij turneu tradicional që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ishin të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grupmoshave nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Lezha, Fieri, Elbasani, Gjirokastra e Korça. Ky turne ka si qëllim kryesor evidentimin e elementëve të rinj që luajnë në kampionatet rajonalë të FSHF-së dhe vëzhgimin e mëtejshëm të tyre nga stafi i ekipeve kombëtare, për të seleksionuar në të ardhmen edhe futbollistë të rinj në radhët e ekipeve kombëtare të moshave.

Turneu i përfaqësueseve rajonale është fryt i një pune të gjatë nga trajnerët e specialistët e ekipeve kombëtare, të cilët ndjekin përgjatë gjithë vitit stërvitjet e ndeshjet në këto zona të Shqipërisë.

 Finalet

Dt. 20.01.2023 (E premte)

Fituesit e moshës U-15

Tirana 3-2 Fieri

Golat: Himallari (7’), Ademi (28’), Mesi (50’)/ Mali (29’), Lushaku (65’)

 Fituesit e moshës U-14

Tirana 1–1 Fieri (4-3 me penallti)

Golat: Bakalli (59’)/ Hyseni (13’)

Fituesit e moshës U-13

Shkodër 2–0 Elbasan

Golat: Kulla (34’), Samuel (36’)