Mbylli bashkëpunimin me Realin, tre klube të Serie A në garë për Hazard

Problemet dhe dëmtimet e shumta bënë që Eden Hazard të mos shfaqë vlerat e tij te Real Madrid në këto katër vite. “Los blancos” njoftuan ditën e djeshme mbylljen e bashkëpunimit mes klubit dhe sulmuesit belg duke negociuar kontratën që skadonte pas një viti.

Një nga opsionet më të mundshme për ish-sulmuesin e Chelsea është që të pensionohet nga futbolli i luajtur. Mirëpo, disa variante të reja duket se kanë dalë për Eden Hazard pas largimit nga Reali.

Sipas “The Athletic” tre klube të Serie A duken të interesuar për të pasur shërbimet e sulmuesit belg. Bëhet fjalë për Roma, Juventus dhe Milan që po konsiderojnë një lëvizje për Hazard.

Kuqezinjtë dhe bardhezinjtë ishin pranë një marrëveshje me 32-vjeçarin në të kaluarën, por problem ishte paga e lartë që ai kërkonte. Në rast se Hazard do të transferohej te Milan ose Juventus, do të pranonte një ulje të ndjeshme të pagës.

Nga ana tjetër, Roma shpreson një transferim të sulmuesit për shkak se në stolin e verdhekuqve është ish-tekniku i belgut, Jose Mourinho. /oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F., Facebook