Më i miri në fushë, Manaj: Interi është skuadra më e fortë e kampionatit

Pas portierit të Spezias, Provedel, Rei Manaj ishte lojtari më i mirë i Spezias në duelin kundër Interit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luftoi i vetëm me tre mbrojtësit zikaltër dhe vuri në provë portierin Handanoviç me një goditje mjaft të mirë.

Ai ka marrë vlerësime pozitive nga mediat italiane dhe “Gazzetta Dello Sport” i ka vendosur notën 6, më e larta nga lojtarët (përveç portierit). Për Manajn ishte një ndeshje speciale sepse Interi është ish-skuadra e tij. Sulmuesi kuqezi ka treguar emocionet e kësaj sfide.

“Të luash kundër Inerit në këtë stadium është gjithmonë emocion shumë i madh. Kam qenë pjesë e kësaj skuadre dhe kam bërë debutimin në Serinë A. Më vjen keq për rezultatin, por është e vështirë të luash ndaj ekipit më të fortë të kampionat.

Ne provuam, treguam karakterin tonë në fushën e lojës, por goli që shënuan ata prishi ekuilibrat. I dyti erdhi me penallti, e cila edhe mund të jepet ose mos të jepet. Varet nga afërsia. Mëkat që ndodhi, por tani duhet të shohim përpara dhe të vazhdojmë të luftojmë.

Tani duhet të mendojmë për duelin ndaj Sassuolos të dielën. Duhet përqendrim maksimal dhe dëshirë për të fituar. Qëndrimi në Serinë A varet pikërisht nga ndeshjet që kemi në shtëpinë tonë dhe duhet t’i shfrytëzojmë siç duhet”, tha ai.

Manaj bëri edhe një krahasim me të shkuarën dhe mbi aspektet që është përmirësuar. “Ndihem më i rritur si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë të futbollit. Eksperienca jashtë më ka ndihmuar shumë dhe tani dua të jap kontributin për të arritur qëndrimin në Serinë A me Spezian”, përfundoi ai. /Oversport.tv