Ylli portugez Cristiano Ronaldo është futbollisti më i paguar në botë sipas listës Forbes, duke lënë kështu në vënd të dytë rivalin e tij të përjetshëm Lionel Messin.
Cristiano pritet të përfitojë 125 milionë Dollarë në sezonin 2021/2022, nga këto 70 milionë Dollarë do vijnë nga rroga dhe bonuset në “Old Trafford”.
Sulmuesi 36-vjeçar pritet të përfitojë 55 milionë Dollarë nga marrëveshjet me sponsorat, ku vetëm tre sportistë të tjerë ia kalojnë në këtë pjesë: Roger Federer (90 milionë Dollarë), Lebron James( 65 milionë Dollarë) dhe Tiger Woods (60 milionë Dollarë).
Messi, i cili ishte në vënd të parë vjet në këtë klasifikim ra me një pozicion këtë vit edhe pse siguroi një transferim te PSG-ja. Revista Forbes parashikon që Messi do të përfitojë 110 milionë Dollarë, nga këto 75 milionë Dollarë do vijnë nga rroga dhe bonuset me Paris Saint-Germain.
Më pas në vend të 3 dhe 4 ndodhen respektivisht Neymar (95 milionë Dollarë) dhe Kylian Mbappe (43 milionë Dollarë). Ndërsa më pas rradhiten Salah (41 milionë Dollarë) dhe Lewandowski (35 milionë Dollarë). /Oversport.tv