Medvedev rrëzon Djokovic nga froni, bëhet numri 1 në botë: Koha për paqe

Daniil Medvedev bëhet lojtari i 27-të që arrin të bëhet numri 1 në renditjen ATP, që kur ka filluar të përdoret ky klasifikim i veçantë në vitin 1973.

Falë kualifikimit deri në gjysmëfinalen e turneut të Acapulcos, rusi është ngjitur në kuotën e 8615 pikëve dhe ka kaluar serbin Novak Djokovic (8465 pikë), që abdikon nga froni pas një serie prej 86 javëve radhazi në krye të renditjes ATP, në total 361 javë, një rekord në historinë e këtij sporti.

“Jam i lumtur, ka qenë objektivi im që kur isha i vogël dhe veçanërisht këtë periudhën e fundit. Kam marrë shumë mesazhe edhe nga lojtarë të tjerë dhe dua ti falënderoj të gjithë për mbështetjen”, ka thënë Medvedev.

Më pas në Instagram rusi ka dashur të japë një mesazh: “Tani dua të flas në emër të fëmijëve të botës. Të gjithë kanë ëndrra, jeta e tyre sapo ka nisur, miqtë e parë, emocionet e para. Gjithçka që ndiejnë dhe shohin për herë të parë në jetën e tyre.

Për këtë arsye kërkoj paqe në botë, paqe mes kombeve. Të qëndrojmë bashkë dhe tu tregojmë se asnjë fëmijë nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij”, shkruan rusi. / Oversport.tv

Foto: ATP Tour Twitter