Tashmë është e kryer. Mungojnë vetëm detajet e fundit që Redon Xhixha të quhet lojtari më i ri i Karabakut. Ditën e hënë do të niset drejt Azerbajxhanit për të firmosur kontratën 1 milionë euroshe në total për 3,5 sezonet e ardhshme. Një shifër të cilës nuk mund t’i thoshte jo sulmuesi i bardhebluve.
Mirëpo nga një transferim i tillë, nuk do të përfitojë në aspektin ekonomik vetëm Xhixha, por edhe skuadra e Tiranës.
Kampionët e Shqipërisë janë gati që të sakrifikojnë goleadorin e tyre për shifrën 550 mijë euro, por edhe me bonuse që e çojnë në 800 mijë euro. Tirana do të përfitojë 250 mijë në rast se skuadra e Karabakut merr pjesë në Kupat e Europës ose fiton titullin në Azerbajxhan, bonuse lehtësisht të arritshme duke qenë se është një nga ekipet që dominon futbollin aty. Pas 11 golave të realizuar në fillimin e sezonit, Superiorja humbet goleadorin e saj.
Mirëpo kjo nuk është lëvizja e vetme në kampin e Tiranës. Nga bardheblutë pritet që të largohet edhe kapiteni Marsel Ismajlgeci. Ky u fundit pritet të firmosë me skuadrën boshnjake, Zrinjski.
Mbrojtësi pritet që të firmosë një kontratë 2.5-vjeçare, me opsionin edhe për një vit të tretë. Ismajlgeci do të sjellë në arkat e klubit të Tiranës 150 mijë euro. Nëse i llogarisim dhe të ardhurat e Xhixhës, Tirana do të marrë 950 mijë euro, para për të rindërtuar skuadrën. Ekipi i Shehit mund të humbasë në aspektin sportiv, por jo në atë ekonomik. /oversport.tv