“Mëkati” ndaj Anglisë dhe “fitoret”: Duka bën bilancin e kualifikueseve

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka bërë një bilanc të rrugëtimit të kombëtares sonë në kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”. Në postimin e tij preket fitorja e mbrëmshme kundër Andorrës, rekordi i ri, arritjet dhe humbja ndaj Anglisë.

“Mbyllëm sot eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”, pas një fitore të mundimshme, por shumë të rëndësishme, ndaj Andorrës në Tiranë.

Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv, ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrën, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat.

Jemi gjithashtu koshient se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara.

Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, ne do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qenë protagonist në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në Euro2024”, shkruan Duka në rrjetet sociale. / oversport.tv