Merkato e verës e la pa kapiten, Interi zgjedh kush do të mbajë shiritin sezonin e ardhshëm

Kohë revolucioni te skuadra zikaltër. I radhës që u përshëndet nga klubi është kapiteni, Samir Handanovic. Portieri slloven largohet pas 11 sezonesh me fanellën e Interit.

Skuadra zikaltër është në negociata edhe për të larguar portierin Onana, por gjithsesi, nuk kanë vendosur të mbajnë as portierin slloven.

Me mbi 40 mijë minuta të luajtura me Interin, 455 ndeshje të zhvilluara dhe 5 trofe të fituar për portierin slloven, janë koleksioni që ai merr me vete pas divorcit me skuadrën nga Milano.

E menjëherë pas largimit të Handanovic, kapiten për Interin do të jetë argjentinasi Lautaro Martinez. “Demi” është një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Interit dhe në sezonin e tij të gjashtë ai do ta nisë me një gradë të fituar në ekip. De Vrij e Barella do të jenë zëvendëskapitenë të skuadrës, pas largimeve të Brozovic e D’Ambrosio.

Deri më tani, Lautaro Martinez ka zhvilluar 238 ndeshje dhe ka realizuar 102 gola me Interin.

Pas rinovimit të kontratës me parametra të përmirësuar financiarë, Inter i jep akoma edhe më tepër përgjegjësi dhe vlerësim sulmuesit argjentinas, si një motivim ekstra për të udhëhequr ekipin drejt një sezoni me arritje e suksese. /oversport.tv

Foto: Inter, Facebook