Merkato e vrullshme edhe në volejboll, përforcohen Tirana dhe rivalët

Pritet të jetë një prej sezoneve më interesantë dhe më të luftuar të viteve të fundit. Volejbolli shqiptar është futur në fazën e dytë të sezonit atje ku në horizont qëndrojnë dy titujt më të rëndësishëm Kupa e Shqipërisë dhe titulli Kampion. Ndërsa skuadrat pretendente kanë ndërhyrë në merkato për t’u përforcuar, lufta për titull tani bëhet edhe më e ashpër.

Tek meshkujt, Tirana është skuadra që udhëheq kampionatin pa asnjë humbje. Bardheblutë e trajnerit Arben Sako kërkojnë të rikthejnë në shtëpinë e tyre titullin që mungon prej 28 vjetësh dhe për këtë kanë marrë masa duke afruar në përbërje edhe dy volejbollistë cilësorë, një argjentinas dhe një maroken.

4 afrikanë ndërkohë për Partizanin e Ylli Tomorrit, që vjen i dyti në renditje. Kampionët në fuqi janë përforcuar ndjeshëm, pas gjysmës së parë të sezonit me shumë luhatje. Sfida e radhës për të kuqtë është pikërisht derbi me Tiranën, në datën 9 shkurt, i vlefshëm për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Nuk mbetet prapa as Erzeni, që kërkon trofetë sidomos pas lëvizjeve në merkato. Shijakasit kanë siguruar shërbimet e një lojtari ukrainas, një serbi, dhe një kolumbiani. Erzeni, së bashku me Tiranën dhe dy skuadrat kosovare Peja dhe Ferizaj, do të ndeshen së bashku prej datës 19 shkurt edhe në Kupën Gjergj Kastrioti, edicioni i parë që bën bashkë skuadrat më të mira shqiptare dhe ato dardane nga faza e parë e sezonit.

Lëvizjet nuk mungojnë as në rrjetën e femrave. Skënderbeu ka suprizuar këtë vit, duke marrë kryesimin edhe sepse ka afruar shumë volejbolliste të huaja në skuadër. Tirana e vendit të dytë njoftoi nënshkrimin me dy lojtare amerikane, ndërsa skuadra më aktive në merkato për femra është padyshim Partizani. Skuadra kampione e 3 viteve të fundit kërkon të mbrojë fronin me sjelljen në kryeqytet të 4 volejbollisteve turke, si rikthimin e trajnerit të mirënjohur Nejat Sancak. /oversport.tv