Merkato Juve: Rabiot drejt United, disa detaje vonojnë blerjen e Kostic

Manchester United duket se ka hequr dorë nga pista Frenkie De Jong, që duket se do të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona. “Djajtë e kuq” kanë nevojë për një mesfushor dhe sipas asaj që shkruan “Manchester Evening News” kanë gjetur një marrëveshje me Juventusin për transferimin e Adrien Rabiot.

Francezit i skadon kontrata me klubin bardhezi në vitin 2023 dhe të dyja palët janë të interesuara që kjo marrëveshje të mbyllet me sukses, por tashmë anglezët duhet të gjejnë dakordësinë edhe me mamanë e lojtarit, Veronique, që në të njëjtën kohë është edhe agjentja e tij.

Ndërkohë që dita-ditës Filip Kostic afrohet akoma më shumë me Juventusin. Bardhezinjtë janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes me Eintracht Frankfurt. Momentalisht diferenca mes ofertës dhe kërkesës është 4 milionë euro, por kjo mund të zbutet me futjen e disa bonuseve.

Klubi gjerman kërkon që të mbajë serbin edhe për ndeshjen e Superkupës së Europës kundër Realit të Madridit dhe më pas ta shesë lojtarin. Juventusi ka një marrëveshje me Kostic për të firmosur një kontratë 3-vjeçare me 2.8 milionë euro në sezon. / Oversport.tv