Merr zyrtarisht fund telenovela Frattesi, mesfushori prezantohet tek Interi

Telenovela më e zjarrtë e merkatos verore në Itali deri më tani merr fund zyrtarisht. Davide Frattesi është lojtari më i ri i Interit. Nga ana e klubit zikaltër ka ardhur edhe njoftimi zyrtar që në faqen e tyre zyrtare zbulojnë edhe disa nga detajet e kësaj marrëveshjeje.

Davide Frattesi është transferuar tek Interi në formë huazimi me detyrim blerjeje në fundin e sezonit. Ai ka firmosur një kontratë që do ta mbajë të lidhur me klubin zikaltër deri në vitin 2028.

Ai do të përfitojë rreth 2.8 milionë euro, ndërsa në arkat e Sassuolos shkojnë rreth 36 milionë euro, përfshirë këtu edhe kartonin e talentit Samuele Mulattieri. Davide Frattesi bëhet kështu afrimi i radhës për Interin, që mposht në një tjetër derbi merkatoje Milanin, pas atij me Marcus Thuram. /oversport.tv

Foto: inter.it