Mertens: Belgjika mund të fitojë Botërorin, jam i lumtur në Napoli

Dries Mertens është rikthyer në kombëtaren e Belgjikës, pas mungesës në fazën finale të Nations League në tetor, për shkak të një dëmtimi. Nuk luajti kundër Italisë, por do të jetë i gatshëm për dy sfidat kundër Estonisë dhe Uellsit të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës:

“Është një nder të kthehesh këtu, më ka munguar ky grup në këto muaj, miqtë e mi dhe kjo atmosferë. Nuk u grumbullova për finalet e Nations League, por sapo kisha lënë pas krahëve një dëmtim dhe e kuptova zgjedhjen e trajnerit, nuk e prita keq. Por u mërzita që nuk mund të zbrisja në fushë në këto ndeshje të mëdha”, ka thënë në një konferencë për shtyp, nga grumbullimi i Belgjikës.

“Nuk duhet të themi që Boterori i Katarit do të jetë shansi ynë i fundit për të fituar diçka, për mua ndosha po, por brezi i ri i skuadrës sonë ka shumë cilësi. Bëjmë pjesë në grupin e skuadrave që mund të fitojnë këtë kompeticion të madh.

Pjesëmarrja është një arritje e madhe, por ne duam gjithmonë më shumë. Kemi një skuadër shumë të mirë, por nuk jemi të vetmit. Kur shoh pankinën e Francës…”, ka thënë sulmuesi, që në fund flet edhe për mundësinë për tu rikthyer për të luajtur në Belgjikë:

“Në futboll nuk thuhet asnjëherë kurrë, por nuk besoj. Jam shumë i lumtur te Napoli”, ka përfunduar Dries Mertens. / Oversport.tv