Mesfushori i Arsenalit i “shkel” syrin Juves, refuzon Arabinë për bardhezinjtë

Afrimet e bujshme të Kai Havertz dhe Declan Rice thuajse i kryer, bënë që Granit Xhaka të ishte lëvizja e parë në mesfushën e Arsenalit. Megjithatë, nuk pritet të jetë vetëm mesfushori me origjinë shqiptare që do të sakrifikohet në mesfushën e “topçinjve”.

Largimi i radhës në skuadrën londineze për sezonin e ardhshëm me shumë gjasa do jetë Thomas Partey. Mesfushori ganez pëlqehet prej kohësh nga Juventusi, këta të fundit që kërkojnë përforcime në këtë repart.

Siç raporton “CBS Sports”, mesfushori 30-vjeçar ka refuzuar së fundmi oferta dhe nga Arabia Saudite vetëm me dëshirën për t’u bashkuar me “zonjën e vjetër” sezonin e ardhshëm.

Përpara se të arrijnë një marrëveshje me Thomas Partey, Juventusi duhet të menaxhojë situatën për të ardhmen e tre mesfushorëve, Denis Zakaria, Weston Mckennie dhe Arthur Melo. /oversport.tv