Messi flet për largimin: Barcelona më tha që nuk më mbante dot

Në një intervistë të dhënë për “France Football”, Leo Messi ka folur për largimin e tij nga skuadra e Barcelonës:

“Në verë u ktheva në Barcelonë me qëllim që të firmosja kontratën dhe të nisja menjëherë stërvitjen. Mendoja se gjithçka ishte rregulluar dhe se mungonte vetëm firma ime, por kur u ktheva më thanë se nuk ishte i mundshëm rinovimi i kontratës.

Më thanë që nuk mund të qëndroja më në skuadër dhe se duhet të filloja të gjeja një klub tjetër, sepse Barcelona nuk i kishte mjetet e nevojshme për të zgjatur kontratën time.

Kjo gjë, përmbysi gjithë planet e mia. Siç thashë edhe në ditën e lamtumirës, ishte shumë e dhimshme për mua që të largohesha nga Barcelona pas gjithë këtyre viteve, kisha vendosur që të mbyllja karrierën time më fanellën blaugrana.

Fillova të mendoj për të ardhmen time dhe PSG-ja më dha mundësinë që të bashkohesha me të. Mora edhe oferta të tjera, por duhet të pranoj se arritëm një marrëveshje shumë shpejt”, ka deklaruar Messi, duke shpjeguar largimin e tij nga Barcelona në drejtim të Parisit. / Oversport.tv