Messi i lënduar: Nuk i meritoja fjalët e Laporta, s’ma kërkuan të luaja falas

Një muaj më pas Leo Messi ka reaguar. Sulmuesi argjentinas nuk është ndjerë mirë nga një deklaratë e presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, i cili ka theksuar se kishin shpresuar që ylli argjentinas të luante falas për të.

Messi për gazetën katalanase “Sport” ka deklaruar: “Askush nga Barcelona nuk më kërkoi të luaja falas, pranova një ulje mbi 50 % të pagës dhe isha gati ta ndihmoja klubin edhe më shumë. Fjalët e presidentit Joan Laporta më lënduan, nuk e meritova”.

ÇFARË DEKLAROI LAPORTA – Presidenti i katalansve , në fillim të muajit tetor u shpreh: “Shpresova që në minutën e fundit Messi do të thoshte që do të luaj falas. Do të më pëlqente diçka e tillë dhe ai do të më bindte.

E kuptoj që LaLiga do ta kishte pranuar, por ne nuk mund t’ia bëjmë atë pyetje një lojtari të nivelit të tij. Gjithçka tregonte se ai kishte një ofertë nga PSG. Të gjithë e dinin se ai kishte një ofertë shumë të fuqishme. Ne e dinim nga Messi që ata kishin marrë një ofertë të mirë.

Mendova ashtu pasi e njoh, ai u ngjit në ekipin e parë kur isha president dhe e ndihmova shumë familjen e tij. Ai e dinte që kur ta rimerrnim veten financiarisht do ia kishim kthyer në mënyrë të ndërsjellë”. / oversport.tv