Messi kthen në jetë PSG, Ajax merr kreun me poker ndaj Dortmundit

Një natë magjike kjo e sotmja në Champions League me PSG dhe Ajax që kanë arritur fitore duke konfirmuar edhe njëherë veten në krye të grupeve përkatëse.

Në grupin A, parizienët kanë mundur me rezultatin 3-2 gjermanët e Leipzig. Siparin e golave e hapi Kylian Mbappe. Ylli i PSG përfitoi nga një kundërsulm i francezëve dhe falë një aksioni personal shtangu portierin kundërshtar duke e çuar rezultatin në 1-0. Kur pritej që ndeshja të vazhdonte pozitivisht për “yjet” e PSG, një pasim i mirë i Angelino gjeti të lirë Andre Silvan, i cili me portën bosh e çoi rezultatin në barazpeshë.

Në Paris pllakosi heshtja kur në pjesën e dytë do të ishte përsëri një harkim i mirë i Angelino në zonë që u shfrytëzua nga Mukiele duke e çuar rezultatin në 2-1 për gjermanët.

Për të përmbysur ndeshjen mendoi “magjitari” Messi që shfrytëzoi shumë mirë një pasim të Mbappe, ku i vetëm përballë portierit nuk mund të falte. Ndërkohë, goli i avantazhit erdhi nga një 11 metërsh. Klasi i Messit nuk mund të zhgënjente dhe me një goditje stil Panenka e vulosi rezultatin përfundimtar të takimit në 3-2.

Ndërkohë, në grupin C, Ajax ka mposhtur me rezultatin 4-0 Borussia Dortmundin. Pokerin e golave e nisi kapiteni i gjermanëve, Marco Reus që nuk arriti dot të largonte si duhej një goditje dënimi të Tadic duke e çuar topin në portën e vet.

Dyfishimi i rezultatit do të vinte nga Daley Blind që me një goditje në limitet e zonës gjeti cepin e portës duke ia bërë të pamundur portierit ta ndalonte atë.

Firmën e tij e vendosi edhe Antony që me një lëvizje të mirë në zonë goditi përsëri në cepin e portës, kësaj radhe duke e lënë pa lëvizur gardianin Kobel. Ndërkohë, në tabelën e shënuesve nuk mund të mungonte i përhershmi Sebastian Haller që shënoi një gol me kokë duke vulosur edhe rezultatin përfundimtar në 4-0.

Kështu PSG dhe Ajax konfirmojnë pozitat e tyre në krye të grupeve respektive duke hedhur një hap më shumë për fazën me eleminim direkt. /oversport.tv

 

CHAMPIONS LEAGUE – FAZA E GRUPEVE

AJAX 4-0 BORUSSIA DORTMUND
Shënues:
 Reus 11’ (autogol), Blind 25’, Antony 57’, Haller 72

PSG 3-2 RB LEIPZIG
Shënues:
 Mbappe 9’, Messi 67’ 74’ (pen)/ Silva 28’, Mukiele 57’