Messi ringjall shpresën e Argjentinës, “Pleshti” dhe Fernandez i japin fitoren ndaj Meksikës

Argjentina shikon dirtë në fund të tunelit dhe tashmë kualifikimi në fazën tjetër është një ndeshje larg. Amerikano latinët arrijnë të mposhtin në sfidën e dytë të grupit Meksikën me rezultatin e pastër 2-0. Është gjithmonë Lionel Messi ai që merr në krahë Kombëtaren e tij për ta udhëhequr drejt suksesit.

Pjesa e parë nuk prodhon shumë lojë të bukur dhe të dyja ekipet luftojnë më së shumti në mesfushë. Ka shumë dyluftime dhe jo shumë raste të pastërta përpara portës, ndërsa Argjentina krijon idenë se mund të sjellë një tjetër zhgënjim në këtë Botëror. Nuk preken rrjetat në pjesën e parë, ndërsa në të dytën historia ndryshon totalisht.

Argjentina është më kërkuese dhe fillon të rrezikojë portën e Meksikës. Për të zhbllokuar rezultatin mendon ylli i ekipit Lionel Messi që me një goditje nga distanca mposht portierin Ochoa dhe i çon shifrat në 1-0. Argjentina duket se zhbllokohet edhe psikologjikisht dhe loja ka akoma edhe më shumë ritëm. Provon edhe Meksika të ndryshojë diçka, por pa sukses.

Për të vulosur rezultatin final të takimit mendon Enzo Fernandez që realizon një gol mjaft të bukur nga limitet e zonës. Ndeshja përfundon kështu me rezultatin 2-0 dhe Argjentina grumbullon tre pikëshin e parë për këtë Kupë Bote.

Kështu, në grupin C, Polonia udhëheq me 4 pikë, ndjekur nga Arabia Saudite dhe Argjentina me 3, ndërsa vendi i fundit mbahet nga Meksika me vetëm 1 pikë. Fati i këtij grupi do të vendoset në sfidën e fundit midis Argjentinës dhe Polonisë. /oversport.tv

Foto: FIFA World Cup, Twitter