Messi shfryn ndaj kritikëve: Para se të fitonim Kupën e Amerikës na trajtonin si të dështuar

Lionel Messi si lojtari më përfaqësues dhe kapiten i Argjentinës ngre zërin dhe kërkon respekt për ekipin kombëtar. Në një intervistë për mediat pleshti argjentinas deklaroi: “Fiton vetëm një skuadër. Të arrish në finale nuk është pak, por as kjo meritë nuk na njihej. Para se të fitonim titullin trajtoheshim si të dështuar nga një pjesë e mediave dhe tifozëve”.

Tani kapiteni i Argjentinës po shijon fitoren e Kupës së Amerikës: “Tani që fituam kupën ndjesia është e mrekullueshme. Ne mendojmë që jemi gjithmonë më të mirët, por nuk është kështu. Nuk kemi qënë të dështuar kur kemi humbur finalet, as më të mirët pasi fituam Kupën e Amerikës. E rëndësishme është të japim gjithçka në fushë”.

Messi vazhdon më tej e thotë: “Na kanë thënë që nuk e duam fanellën, na kanë kërkuar të mos luajmë më me përfaqësuesen. Ne jemi munduar të japim gjithmonë më të mirën në fushë dhe kemi dashur gjithmonë të fitojmë. Por nuk mund të reduktohet gjithçka vetëm në humbje ose fitore”.

Tashmë në të ftohtë, numri 10 i Argjentinës tregon që po shijon më shumë fitoren e kupës sesa në fillim: “Nuk mund të besoja çfarë po ndodhte në ato momenti. E ëndërroja këtë moment kaq shumë, sa kur erdhi nuk po i besoja syve. Ishte si një ëndërr, një moment magjik. Tani e shijoj dhe më shumë kur shoh fotot sepse në ato momente isha i paralizuar nga emocionet”. /Oversport.tv