Mezani: Do jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar, uroj të kualifikohet Flamurtari

Trajneri i njohur vlonjat Gentian Mezani, ka folur për Oversport në prag të takimit të Play Off-it mes Flamurtarit dhe Apolonisë. Ish-tekniku i Laçit mendon se vlonjatët do të kalojnë me sukses këtë sfidë sepse kanë një skuadër më cilësore se fierakët, por edhe për faktin që luajnë në shtëpi.

Mezani ka komentuar edhe garën e fortë në Superiore, duke theksuar se është meritë e të gjitha skuadrave që nuk ka dalë asnjë verdikt nga kampionati, ndonëse kanë mbetur edhe 2 javë kampionat për të luajtur.

“Mendoj që është një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Mendoj që Flamurtari është më i avantazhuar edhe për shkak të fushës, por edhe pse ka një skuadër më të mirë se Apolonia. Jo se fierakët kanë një skuadër të keqe, por është e re në moshë dhe i mungon eksperienca. Uroj që Flamurtari të fitojë këtë ndeshje, ndoshta nuk duhet ta them kaq hapur, por dua që skuadra e qytetit tim të ngjitet në Superiore, sepse i mungon elitës.

Shpresoj që të bëhet një ndeshje e bukur. Të dyja skuadrat do të luajnë hapur dhe do të kërkojnë fitoren. Shpresoj që shikuesit të shijojnë një ndeshjen në televizion (është e dënuar fusha e Flamurtarit) dhe uroj që tifozët vlonjatë të festojnë. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar, skuadrat nuk kanë çfarë do të humbasin dhe do të kërkojnë me çdo kusht fitoren.

Gara në Superiore? Superiorja ka qenë shumë e bukur dhe e luftuar, sepse akoma nuk dihet se kush do të fitojë titullin dhe kush do të bjerë nga kategoria. Gara është shumë e bukur dhe e luftuar për meritë të të gjithë ekipeve”, ka thënë mes të tjerash Mezani. /  Oversport.tv