Miami mposht Boston pa Jimmy Butler, Adebayo i udhëheq drejt fitores

Miami Heat e çon në 2-1 serinë e ndeshjeve finale në konferencën e Lindjes pasi mposhti në sfidën e tretë Boston Celtics me rezultatin 109-103. Bam Adebayo udhëhoqi Miamin në këtë fitore pasi realizoi më shumë se kushdo në skuadër, si dhe nuk e la ekipin të ndjente mungesën e Jimmy Butler, i cili u dëmtua gjatë ndeshjes.

Ka mjaftuar vetëm fitorja në periodën e parë me rezultatin e thellë 39-18 për Miamin që të çonte në +21 diferencën dhe më pas të arrinte ta menaxhonte atë, pavarësisht faktit se në tre periodat e tjera arriti të triumfonte vetëm Boston.

Këta të fundit pas nisjes së dobët të takimit, morën kontrollin e lojës për të realizuar një përmbysje të madhe. Në periodën e fundit Boston madje i shkoi shumë pranë përmbysjes pasi e çoi ndeshjen në -1, por më pas Miami arriti të menaxhonte gjithçka duke e mbyllur sfidën me +6.

Bam Adebayo ishte lojtari që shkëlqeu më shumë për Miami me 31 pikë 10 rebound e 6 asist. Një ndihmë të madhe dhanë edhe Tucker e Strus, ndërsa ylli i ekipit Jimmy Butler realizoi vetëm 8 pikë, 3 rebound e 2 asist, pasi u detyrua të qëndronte në dhomat e zhveshjes për një dëmtim.

Nga ana tjetër Jaylen Brown ishte i pandalshëm dhe realizoi 40 pikë, më shumë se kushdo tjetër në këtë takim, ndërsa ylli Jayson Tatum realizoi vetëm 10 pikë. Mirë edhe Al Horford për Celtics që realizoi 20 pikë, por performancat e mira të lojtarëve individualë nuk mjaftuan që Boston të fitonte në këtë ndeshje. /oversport.tv