Miami rimerr kreun në Lindje, Siakam shkëlqen kundër Bostonit

Pas katër humbjeve radhazi në NBA, Miami rigjen fitoren përballë Sacramento dhe rimerr vendin e parë në renditjen e Konferencës së Lindjes. Heat shfrytëzojnë edhe humbjen e Bostonit në Toronto, Raptors  fitojnë pas kohësh shtesë të udhëhequr nga një Pascal Siakam në superformë që shënon 40 pikë.

Në Konferencën e Perëndimit Memphis shkatërron Golden State dhe konsolidon vendin e dytë në renditje, ndërsa San Antonio mund Houston. Chicago humbet në Nju Jork dhe komplikon arritjen e zonës së Play Off-it.

Nikola Jokic udhëheq Denverin në fitoren në transfertë kundër Charlotte me 26 pikë, 19 rebounde dhe 11 asist (triple double).

MIAMI HEAT-SACRAMENTO KINGS 123-100

Buzëqesh Miami që mposht Sacramenton dhe rimerr kreun e Konferencës së Lindjes. Butler me 27 pikë është më i miri për vendasit, ndërsa Adebayo me 22 pikë dhe 15 rebounde dhe Herro me 20 pikë kontribuojnë në këtë sukses të Heat. Davion Mitchell me 21 pikë është më i miri për Kings.

TORONTO RAPTORS-BOSTON CELTICS 115-112 (pas kohës shtesë)

Ndihen mungesat e Jaylen Brown, Jayson Tatum dhe Robert Williams III tek skuadra e Bostonit, që mposhtet në transfertë përballë Torontos. Celtics rezistojnë për 51 minuta, por më pas dorëzohen në shtesë.

Marcus Smart me 28 pikë dhe 10 rebounde dhe Grant Williams me 17 pikë janë më të mirët për Bostonin. Pascal Siakam bën paraqitjen më të mirë sezonale me 40 pikë dhe 13 rebounde dhe udhëheq Toronton drejt suksesit.

MEMPHIS GRIZZLIES-GOLDEN STATE WARRIORS 123-95

Memphis shkatërron Golden State dhe blindon vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Desmond Bane shënon 22 pikë, ndërsa De’Anthony Melton dhe Dillon Brooks realizojnë nga 21 pikë për kokë për vendasit. Jordan Poole me 25 pikë është më i miri për Warriors, që pësojnë humbjen e tretë radhazi në NBA.

Foto: Miami HEAT Twitter

Ndeshjet e tjera të NBA:

HOUSTON ROCKETS-SAN ANTONIO SPURS 120-123

INDIANA PACERS-ATLANTA HAWKS 123-132

CLEVELAND CAVALIERS-ORLANDO MAGIC 107-101

NEW YORK KNICKS-CHICAGO BULLS 109-104

CHARLOTTE HORNETS-DENVER NUGGETS 109-113

PORTLAND TRAIL BLAZERS-OKLAHOMA CITY THUNDER 131-134 (pas kohës shtesë)