Milan “grusht” Raiolës, Romagnoli negocion i vetëm për rinovimin

Çështja “Donnarumma” ka bërë që drejtuesit e Milanit t’i vendosin një vijë të kuqe menaxherit të fuqishëm në botën e futbollit. Madje, edhe për çështjen e Alessio Romagnolit, Maldini & Co, kanë shkuar më tej, duke vendosur një kusht të vetëm dhe të panegociushëm:

Lojtari të bisedojë pa praninë e menaxherit. Kësisoj, teksa kontrata e mbrojtësit përfundon në qershorin e ardhshëm, drejtuesit e skuadrës kuqezi janë të gatshëm të pranojnë edhe të humbin shërbimet e tij, në rast se menaxheri do të kërkojë përfshirjen në këtë negociatë.

Mirëpo, duket se gjasat janë që vetë kapiteni të ketë dëshirën për të rinovuar me Milanin dhe bëhet me dije që ai është paraqitur personalisht ne diskutimet me Maldinin dhe Massaran. Përtej kësaj, kërkesa e tij është disi e lartë krahasuar me atë që momentalisht ofron Milan.

Për momentin, kërkesa është 4.5milionë euro, ndërsa propozimi i Maldinit ka qenë 3.5. Sidoqoftë, për këtë, drejtuesit kuqezinj janë të gatshëm që të mund të flasin dhe gjejnë edhe një gjuhë të përbashkët, mirëpo vetëm që Raiola të mos shfaqet në selinë e Milanit./Oversport.tv