Milan humb ndaj Liverpulit. Një disfatë e cila gjithsesi shërben për rritjen. “Djalli” del nga “Anfield” me një humbje të merituar, e cila në vigjilje të takimit ishte thuajse e parashikuar, por me vetëdijen që është në rrugën e duhur. Ndaj Liverpulit, sigurisht që munguan shumë gjëra, por kuqezinjtë treguan se dinë të vuajnë dhe të mos shkatërrohen në ato momente të ndeshjes kur mund të ndodhte vërtetë diçka e tillë. Një lloj koncepti që edhe Pioli e shpjegoi në analizën e tij pas ndeshjes: “Ekipi e ka përmirësuar nivelin dhe kjo ndeshje do të na bëjë që të rritemi akoma më shumë”.
E gjithë kjo për meritë të Liverpulit, pa dyshim që ishte në këtë 90-të minutësh gjithmonë padroni i fushës dhe thuajse perfekt me një futboll të mrekullueshëm. Një bllokim i çuditshëm vetëm në fundin e pjesës së parë, në atë moment flake të “Djallit”. Ka keqardhje dhe shumë inat në anën e kuqezinjve, sepse ia dolën ta përmbysin Liverpulin me dy veprime mjeshtërore.
Pastaj në pjesën e dytë, të dy golat e pësuar lënë vend për mërzi, për shkak të gabimeve personale, nga Maignan dhe Florenzi. I pari shumë i ndrojtur në daljen ndaj Salah, ndërsa i dyti që harron Henderson në markim. Gabime këto që e dënuan “Djallin”, por që gjithsesi nuk e kompromentojnë rrugëtimin në Champions League, edhe falë barazimit që Atletico Madrid regjistroi ndaj Portos në ndeshjen tjetër të grupit.
Ka munguar disi mesfusha me Bennacer dhe Kessie të cilët kanë humbur shumë topa në fazën e ndërtimit, duke vuajtur qartësisht fizikun e “Të kuqve” në presing konstant. Asgjesuar pa pasur kohën të mendojnë kundërprgjigjen, nga një digë e ndërtuar me mjeshtërinë e Klopp që mbyti lojën e Piolit. Ky ishte çëslsi i ndeshjes në “Anfield” me kuqezinjtë që shpesh nuk janë në gjendje të ndërtojnë një aksion që nga prapavija deri në majën e sulmit. Topa të gjatë dhe të dhuruar për kundërshtarin.
Pak nga frika, pak nga niveli më i lartë i kundërshtarëve. Një miks që duke parë rezultatin duhet t’i bëjë kuqezinjtë të reflektojnë.