Milan, Pioli: Duhet të mbyllim kampionatin në katërshen e parë

Milani vjen me entuziazëm të lartë në prag të sfidës kundër Salernitanës, pas kualifikimit në çerekfinalet e Champions League. Kuqezinjtë kërkojnë që të përfitojnë nga humbja e Interit dhe ndalesa e Lazios, që të rikthehen në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit të Serie A, pasi në rast të një suksesi në sfidën e nesërme “djalli” do të ngjitej në kuotën e 50 pikëve.

“Tani duhet të përqendrohemi në kampionat dhe duhet të jemi shumë të vendosur. Nëse duam që të përjetojmë sërish disa emocione që po shijojmë në Champions duhet të mbyllim kampionatin mes 4 vendeve të para. Pashë atë që doja të shihja gjatë javës, jemi të përqendruar”, ka thënë trajneri i Milanit, në prag të kësaj sfide.

“Nga nesër e në vazhdim të gjitha ndeshjet e këtij sezoni bëhen vendimtare. Nuk ka rëndësi se çfarë kemi bërë dje, rëndësi ka se çfarë do të bëjmë nesër. Ibrahimovic nuk do të luajë që nga minuta e parë, por mund të na ndihmojë gjatë ndeshjes”, ka thënë mes të tjerash Pioli. / Oversport.tv