Milani di të fitojë edhe pa shkëlqim, kuqezinjtë mposhtin në transfertë Veronën

Milani tregon se di të fitojë edhe pa shkëlqim dhe e bënë këtë në javën e 10-të përballë Veronës me rezultatin e ngushtë 2-1. Kuqezinjtë triumfojnë në transfertë falë autogolit të Veloso dhe golit të Sandro Tonali në minutat e fundit të takimit duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme që e ngjisin në tretë në tabelën e klasifikimit.

Ndeshja nis me një rast të mirë të vendasve që rrezikojnë portën e Tatarusanu, por ky i fundit ndal gjithçka. Megjithatë, në minutën e nëntë vjen edhe prishja e ekuilibrave. Një depërtim i mirë i Leaos që kërkon të hedhë një top në qendër të zonës, por devijohet nga Veloso që detyron Montipo të nxjerrë topin nga rrejta.

Milani kalon në avantazh dhe gjithçka duket se do të jetë më e lehtë për kuqezinjtë. Nga ana tjetër mendon Verona që nuk pajtohet me këtë rezultat dhe shton presionin për të realizuar golin e barazimit. Ekuilibrat vendosen vetëm 10 minuta më vonë me mbrojtësin Gunter që godet në brendësi të zonës dhe falë devijimit të Gabbia topi shkon në rrjetë.

Me këtë rezultat përfundon edhe pjesa e parë, ndërsa në të dytën është Verona që e fillon më kërkuese për të kaluar në avantazh. Vendasit krijojnë disa mundësi të mira shënimi, por pa sukses. Në minutat e fundit, Milani rrit presionin dhe provon me Rebic e Theo Hernandez që ndalen nga portieri Montipo.

Ky i fundit do të ndëshkohej nga Sandro Tonali në minutën e 81 që realizon edhe golin që i dha fitoren Milanit. Rastet e mbetura nuk e ndryshuan dot rezultatin dhe Milani del me pikë të plota nga kjo transfertë duke u ngjitur në vendin e tretë në kuotën e 23 pikëve pas 10 javësh. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Twitter