Milani i sjell gjithmonë fat, Immobile kërkon të harrojë kombëtaren

Sa herë që kritikohej për paraqitjet e tij me skuadrën kombëtare, Immobile kthehej tek Lazio dhe u mbyllte gojën kritikëve me paraqitjet e tij në skuadrën bardhekaltër. Zakonisht ka shkuar gjithmonë kështu.

Sulmuesi ishte një garanci për Inzaghin dhe tani e tutje do të jetë shpresa e Sarrit, që indirekt mund të bëhet një aleat i madh i Mancinit dhe vetë Immobiles, me skemat që në kombëtare nuk po i zbaton si duhet.

Fjalët bëjnë shumë zhurmë, por numrat janë ato që mbesin më gjatë dhe tregojnë se Immobile është golashënuesi më i mirë i skuadrës “axurre” nën drejtimin e teknikut aktual. Nuk ka dyshim se më fanellën e Lazios, sulmuesi bën dyfishin e golave.

Një gol në 248 minuta është mesatarja në kombëtare, ndërsa te bardhekaltërit shënon një gol çdo 117 minuta. Madje këtë vit e ka nisur akoma më mirë se zakonisht, asnjëherë në karrierë nuk kishte shënuar 4 gola në 180 minutat e para të Serie A.

Të dielën kundër Milanit do të jetë në fushën e blertë, në një sfidë që e ka parë gjithmonë si protagonist. Ka shënuar në 3 ndeshjet e fundit kundër kuqezinjve, por nuk mund të harrojë 2 takime që kanë lënë shenjë në karrierë.

Kundër Milanit ka shënuar tregolëshin e parë me fanellën e Lazios në 2017-n dhe golin e 100-të me fanellën laziale pikërisht në “San Siro” dy sezone më parë. /Oversport.tv