Milani jashtë Kupës së Italisë, Torino e eliminon me 10 lojtarë në “San Siro”

Torino dhuron surprizën e parë të madhe në Kupën e Italisë pasi eliminon me 10 lojtarë kampionët e Serisë A, Milanin. Një gol në kohën shtesë nga Adopo shtangu “San Siron” duke nxjerrë jashtë kompeticionin kuqezinjtë në fazën e 1/8-ve.

Pioli hedh në lojë shumë lojtarë të rinj për t’i dhënë një shans më shumë dhe në fillimin e takimit i gjithë besimi duket se do të shpërblehet. Blerja më e bujshme e verës, Charles De Ketelaere i afrohet golit me një goditje me kokë, por topi ndalet në shtyllë.

Në pjesën e dytë gjithçka duket se do të marrë një rrjedhë më të lehtë për kuqezinjtë, pasi në minutën e 70 Djiji lë me 10 lojtarë Torinon. Megjithatë, Milani nuk duket në një ditë të mirë dhe koha e rregullt përfundon me rrjeta të paprekura.

Lind nevoja për kohën shtesë dhe te Milani kërkojnë me ngulm fitoren, por surpriza vjen nga kampi tjetër. Në minutën e 114, Adopo çon topin në rrjetë duke vulosur edhe rezultatin final të takimit.

Kështu, Milani largohet nga Kupa e Italisë në mënyrë zhgënjyese, pasi eliminohet në shtëpi nga një skuadër që luajti për një kohë të gjatë me 10 lojtarë. Torino vazhdon rrugëtimin dhe në çerekfinale pret fituesin e çiftit Sampdoria-Fiorentina. /oversport.tv

Foto: Torino Football Club, Twitter