Milani kualifikohet me poker golash, Juventusi largohet nga Champions me një tjetër humbje

Janë luajtur ndeshjet e fundit të grupeve E, G dhe H të Champions League, që kanë përcaktuar emrat e skuadrave që kualifikohen mes 16 më të mirave të turneut më të rëndësishëm europian për klube.

Nuk gabon Milani në përballjen direkte përballë Salzburg, duke fituar 4-0 dhe falë këtij suksesi kualifikohet në turin tjetër (kujtojmë që kuqezinjve iu mjaftonte edhe një barazim për të kaluar grupin).

Kampionët e Italisë dominojnë takimin. Giroud kalon skuadrën e Piolit në avantazh në minutat e para të takimit, Rebic dyfishon shifrat me fillimin e pjesës së dytë. Është sërish francezi ai që shënon golin e tretë për kuqezinjtë dhe të dytin personal në këtë takim. Messias vulos pokerin e golave në kohën shtesë.

Në ndeshjen tjetër të grupit Chelsea fiton 2-1 ndaj Dinamos së Zagrebit. Londinezët ruajnë vendin e parë në grup dhe bashkë me Milanin kualifikohen më tej, ndërsa Salzburg do të luajë në Europa League.

Manchester City përmbys Sevillan 3-1 dhe mbyll grupin G në vendin e parë. Borussia Dortmund barazon 1-1 në Danimarkë me Fc Copenhagen. Anglezët dhe gjermanët kualifikohen në turin tjetër, ndërsa Sevilla do të luaj në Europa League.

PSG fiton në Torino 2-1 përballjen ndaj Juventusit. Bardhezinjtë vazhdojnë të zhgënjejnë dhe tashmë do të vazhdojnë aventurën në Europa League. Benfica merr një fitore tenistike 6-1 në Izrael dhe falë këtij suksesi siguron vendin e parë në grup. /Oversport.tv

Foto: milan Twitter