Milani largon dështimin e sezonit të kaluar, mungon vetëm aprovimi i tij

Milani në këtë merkato verore ka qenë me të vërtetë i zjarrtë me transferimet e tyre, por çdo afrim në klub sjell edhe largime. Një prej tyre në Milano, pritet të jetë dhe talenti i ardhur verën e kaluar.

Charles De Ketelaere është më shumë se kurrë pranë largimit nga kuqezinjtë. Siç raporton “Sportmediaset”, klubi i ardhshëm ku do të vazhdojë karrierën mesfushori belg do të jetë Atalanta.

Siç thuhet nga prestigjiozja italiane, mungon vetëm aprovimi i 22-vjeçarit për të kaluar në klubin bergamask. Milani dhe Atalanta kanë finalizuar marrëveshjen për lojtarin.

De Ketelaere pritet të vishet zikaltër duke u huazuar për një vit. Bergamaskët do të paguajnë për një vit 3 milionë euro për huazimin e tij dhe nëse kërkojnë ta blejnë përfundimisht, atëherë duhet të shpenzojnë 23 milionë euro të kërkuara nga Milani. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Facebook