Milani mendon për Championsin, rezervat kuqezi barazojnë ndaj Bolognas

Milani përdor rotacion masiv në transfertën e Bolognas dhe ndalet në një barazim 1-1 në “Dall’Ara”. Kuqezinjtë ngjiten përkohësisht në vendin e katërt në renditje në kuotën e 53 pikëve, po aq sa Roma e vendit të tretë, që duhet të luajë ndeshjen respektive të javës së 30-të.

Pioli bën revolucion në skuadër, duke ndryshuar 10 nga 11 lojtarë. Bologna kalon në avantazh pas 33 sekondash me Sansonen. Milani mundohet të reagojë me Rebic dhe Florenzi, por është Pobega, ai që barazon shifrat me një gjuajtje nga distanca.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë kërkojnë golin e fitores dhe rrezikojnë me Rebic dhe Pobega, madje protestojnë për një penallti të padhënë në minutën e 89-të.

Mbyllet 1-1 sfida në “Dall Ara”, me Milanin që mendon më shumë për ndeshjen e Champions kur Napolit, ndërsa Bologna e kënaqur me pikën vazhdon të ëndërrojë një vend në kupat e Europës. / Oversport.tv

Foto: AC Milan Twitter