Milani nuk thyhet as me mungesa, Ante Rebiç i heq fitoren Juventusit

Juve-Milan, pa fitues, por me emocione të mëdha. Një duel që përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1 dhe që mban Milanin në krye me Interin, në pritje të duelit të Napolit ditën e nesërme kundër Udineses.

Juventusi e nisi në mënyrë fantastike, pasi shënoi me një kundërsulm perfekt në portën e Milanit. Alvaro Morata fitoi duelin e shpejtësisë me Theo Hernandez dhe mposhti edhe portierin Maignan.

Sulmuesi spanjoll iu afrua edhe golit të dytë në minutën e 17-të, ndërsa me pas rrezikoi edhe Dybala. Milani nga ana tjetër nuk kishte forcën e duhur në sulm, pasi mungonin emra si Ibrahimovic dhe Giroud.

Në pjesën e dytë Milani nisi të lëvizte disi, duke lëshuar një sinjal me Leao. Nga ana tjetër Moise Kean për Juventusin kishte mundësinë të shënonte golin që do të mbyllte ndeshjen.

Kjo nuk ndodhi dhe në krahun tjetër kuqezinjtë arritën të befasojnë me Ante Rebic, i cili pas një goditjeje këndi u tregua i saktë me kokë dhe shënoi në portën e Juventusit.

Bardhezintë u shfaqën sërish rrezikshëm më pas me Moise Kean, por edhe mund ta pësonin. Kalulu u ndal nga Szczesny në rastin më të mirë të ndeshjes dhe kështu gjithçka u ndal në barazim 1-1.

SERIE A – JAVA 4
Juventus-Milan 1-1
Shënues:
Morata 4’ / Rebic 76’

/ oversport.tv