Milani pakt për Paton e ri në Brazil, dalin edhe detajet financiare

Milan po punon që tani për përforcimet e mundshme për merkaton e janarit. Sipas “Tuttosport”, kuqezinjtë kanë piketuar sulmuesin e datëlindjes 2001.

Yuri Alberto, i cili cilësohet si Alexandre Pato i ri në Brazil, përflitet se ka një akord paraprak me Milanin për t’u transferuar në Serinë A, si përforcim krahas Ibra e Giroud në repartin e avancuar në dispozicion të Piolit.

Sulmuesi 21-vjeçar ka shkuar me parametra zero tek Internacional, pas eksperiencës së mëparshme me Santos. Tanimë përflitet se kuqezinjtë janë pranë me djaloshin për ta transferuar në Milano, mirëpo mes dy klubeve momentalisht bëhet fjalë për një distancë prej 10 milionë eurosh.

Kërkesa për djaloshin është të paktën 20 milionë euro, teksa klauzola aktuale është 80 milionë e vendosur për të. Ndërsa për momentin, Milan është në gjendje që të ofrojë vetëm gjysmën, prej 10 milionë euro. Priten diskutimet për të parë nëse do të ketë një akord final. / oversport