Milani për “jetë a vdekje” me Atalantën, statistikat tmerrojnë kuqezinjtë  

Me dy javë nga fundi i Serie A, Milani është i dënuar të mos gabojë, ndërkohë që finalja e radhës do të jetë ajo me Atalantën. Një sfidë jo shumë e lehtë për kuqezinjë, pavarësisht faktit se Atalanta po zhvillon një sezon jo të niveleve që jemi mësuar ta shohim në vitet e fundit.

Megjithatë, edhe bergamaskët janë duke luftuar për një vend në kupat europiane, për të larguar fantazmat e një cikli të përfunduar, e për me tepër për të shpëtuar një sezon që deri tani është i dështuar në të gjitha aspektet. Kështu në “San Siro” të besuarit e Gasperinit janë kërcënimi më i madh që i po shfaqet Milanit për momentin.

Edhe pse në futboll statistikat në shumë raste të gënjejnë, në këtë rast mund t’i shkakojnë frikë Milanit. Në “tavë” është titulli kampion i 19-të në historinë e Milanit, por frika qëndron te Gian Piero Gasperini. Hijet më të frikshme madje nuk janë as ato që tregojnë humbjen e kuqezinjve 5-0 në Bergamo në nëtorin e vitit 2019.

Statistika më shqetësuese për ta është se brenda fortesës së saj në “San Siro” që kur në stolin e Atalantës është ulur Gian Piero Gasperini, Milani nuk ka fituar kurrë. Tre barazime dhe dy humbje për Milanin, por nuk mbaron me kaq.

Milani ka triufmuar në San Siro për herë të fundit përballë Atalantës në sezonin 2013-2014, kur fitoi me rezultatin 3-0 falë dygolëshit të Kaka dhe një të Cristante. Më pas 7 ndeshje pa asnjë fitore përballë bergamaskëve në “San Siro”, një statistikë që vetëm kur e mendon i fut ankthin Stefano Piolit. /oversport.tv