Milani “shënjestron” bomberin Lucca, Maldini me plan B nëse Kessie nuk rinovon

Milan po mendon për t’u përforcuar në merkaton e dimrit. Mesfusha dhe sulmi do të jenë pozicionet ku drejtuesit do të ndërhyjnë për t’i plotësuar kërkesat trajnerit Stefano Pioli.

Në sulm, projektohet një afrim i ri. Bëhet fjalë për Luciano Luça, sulmuesi i Pisës në kategorinë e dytë, i cili e ka nisur mbarë sezonin e ri në kampionat me 6 gola të shënuar.

Luça është 21 vjeç, 2 metra i gjatë, me aftësi të mira fizike dhe me instikt të mirë për të shënuar. Ka karakteristika që vështirë të gjenden tek sulmuesit e sotëm, teksa përmendet se është dhe një admirues i gjigandit suedez Zlatan Ibrahimovic.

Sulmuesit aktual të kuqezinjve, si Ibrahimovic dhe Giroud kanë moshë të madhe mbi supe dhe nuk garantojnë të luajnë një sezon të plotë, ndërsa Pellegri kërkon kohën e tij për tu rikthyer në formë pas lëndimeve të shumta tek Monaco.

Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, Maldini ka një ide për të menaxhuar situatën dhe mposhtur konkurrencën e klubeve të tjera të interesuara.

Formula e menduar nga drejtuesit është ajo e blerjes së kartonit të lojtarit dhe lënia e tij në Toskanë për të luajtur me Pisën deri në fund të sezonit, por nuk parashikohet të jetë e lehtë që drejtuesit e Pisës të binden.

Në merkaton e dimrit, Milan do të kërkojë përforcime edhe në mesfushë, ku përmenden emrat e Adli dhe Favre si zëvendësues të Franck Kessie dhe Brahim Diaz. I pari mund të largohet që në janar nëse rinovimi nuk mbërrin deri në dhjetor, ndërsa Brahim Diaz nuk mund të ngarkohet për gjithë sezonin mes Championsit, kampionatit dhe kupës.

Yacine Adli është tashmë lojtar i Milanit dhe është dërguar në huazim në Bordeaux deri në fundin e sezonit. Një kompromis mes klubeve mund të arrihet për ta lënë të lirë francezin në janar.

Për Favre, Brest kërkon minimalisht 15 milionë euro për ta lënë të lirë të largohet, një shumë e lartë për Milanin, por nëse drejtuesit e klubit francez zbuten tek kërkesat, Maldini dhe Massara mund të shtojnë përpjekjet për të mbyllur marrëveshjen. /Oversport.tv