Milani shkon si favorit këtë herë në “Allianz”, por skuadrat e Allegrit janë një tabu për Piolin

Ishte një kohë kur fitorja në shtëpinë e Juventusit ishte një tabu për Milanin. Kuqezinjtë shkonin në Torino me pritshmëri të mëdha, përgatisnin mirë ndeshjen, por në fund të gjithë trajnerët dorëzoheshin: Inzaghi, Gattuso, Mihajlovic dhe disa herë edhe Max Allegri e kanë provuar disfatën në këtë transfertë.

Më pas erdhi Pioli, që e nisi me humbje këtë transfertë historike (1-0 në 2019), por vitin e kaluar arriti suksesin (0-3), duke thyer një seri rezultatesh negative që zgjaste prej 10 vjetësh. Përpara këtij suksesi, fitorja e fundit e Milanit në Torino, kishte ndodhur në 5 mars të vitit 2011.

Një tjetër kuriozitet: Pioli nuk e ka mundur kurrë Allegrin në të gjithë karrierën e tij. Në 17 përballje, tekniku i bardhezinjve ka fituar 14 herë dhe 3 takime janë mbyllur në barazim. 10 humbje radhazi ka pësuar Pioli në 10 ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër skuadrave të Allegrit.

Do të jetë e vështirë, por falë Stefano Piolit kuqezinjtë thyen tabunë “Allianz” dhe sot kërkojnë të thyejnë një tjetër tabu. Pas 3 ndeshjeve të luajtura në kampionat, kuqezinjtë e shohin veten në krye të rënditjes me pikë të plota, 8 më shumë se Juventusi, që ka zhgënjyer shumë në këtë start të Serie A.