Milani zhgënjen sërish në Serie A, Salernitana befason kuqezinjtë në “San Siro”

Milani bën një tjetër hap fals në Serie A pasi ndalet në shtëpi nga Salernitana në sfidën mbyllëse të javës së 26-të. Të besuarit e Piolit nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në “San Siro” ku goli i Giroud nuk mjaftoi për t’i dhënë pikët e plota kuqezinjve. Nga ana tjetër Salernitana arrin një rezultat historik në “San Siro” ku nuk kishte arritur kurrë të dilte me pikë më parë.

Ndeshja nis me një ritëm të ngadaltë nga të dyja skuadrat që kërkojnë të studiojnë lëvizjet e kundërshtarit. Megjithatë, me kalimin e minutave Milani rrit presionin dhe vihet në kërkim të golit të avantazhit. Pas 20 minutash lojë, Leao jep shkëndijën e parë serioze, ndërsa provon gjithashtu edhe Olivier Giroud. Nga ana tjetër, Salernitana provon të japë shenja jete me Kastanos, por pa sukses.

Kur pritet që pjesa e parë të mbyllet në barazim pa gola, Olivier Giroud lexon mirë krosimin e Bennacer nga goditja e këndit dhe me kokë çon topin në rrjetë duke mposhtur Ochoan. Kështu fraksioni i parë i lojës mbyllet në avantazhin minimal të kuqezinjve që tashmë duket sikur e kanë vënë në linjën e duhur ndeshjen.

Megjithatë, nuk rezulton kështu në pjesën e dytë me Salernitanën që e nis më kërkuese. Bradaric gjen në zonë Dian që devijon topin në rrjetë dhe vendos gjithçka në baraspeshë.

Milani nuk pajtohet me këtë rezultat dhe rikthehet të sulmojë. Pioli hedh në fushë forca të freskëta për të pasur më shumë kthjelltësi në fazën sulmuese. Divock Origi ka një mundësi të mirë që nuk e shfrytëzon si duhet, ndërsa më pas është Florenzi që i afrohet golit, por nuk arrin dot ta çojë në rrjetë.

Zlatan Ibrahimovic provon të thotë fjalën e fundit, por goditja e tij ndalet nga Ochoa. Në fund sfida mbyllet në barazim me Milanin që shpërdoron një ndeshje të lehtë në letër dhe nuk del dot me pikë të plota. Kuqezinjtë mbajnë vendin e katërt në kuotën e 48 pikëve.

Foto: AC Milan, Twitter