Pas humbjes me Fiorentinën dhe barazimit me Salernitanën, Milani bën një tjetër hap fals në Serie A. Këtë herë kuqezinjtë u mposhtën në transfertë nga Udinese me rezultatin 3-1, në një ndeshje totalisht për t’u haruar për të besuarit e Stefano Piolit. Golat e Pereyra, Beto dhe Ehizibue bëjnë që Udinese të dalë me pikë të plota nga ky takim, ndërsa për kuqezinjtë realizoi Zlatan Ibrahimovic me një 11-metërsh.
Ndeshja ka menjëherë ritëm dhe ekipet vihen në kërkim të golit të avantazhit. Pas 9 minutash është Pereyra që përfiton në zonë dhe me një goditje tokazi çon topin në rrjetë duke mposhtur Mike Maignan. Një gol që i jep më shumë besim Udineses që kërkon të dyfishojë shifrat.
Megjithatë, me kalimin e minutave Milani fillon të reagojë dhe jep shkëndijat e para me Leao e Ibrahimovic. Ky i fundit është edhe lojtari që vendos baraspeshën në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Sulmuesi suedez merr përsipër një 11-metërsh të akorduar më parë nga sistemi VAR, ku fillimisht gabon pasi topin e pret portieri, por gjyqtari i takimit shikon parregullsi dhe e përsërit penalltinë.
Herën e dytë, Ibrahimovic nuk gabon dhe çon topin në rrjetë duke vendosur edhe një rekord aboslut duke u bërë lojtari më i vjetër që realizon në Serie A. Megjithatë, barazimi zgjat shumë pak. Në frymën e fundit të pjesës së parë, Udinese kalon edhe njëherë në epërsi me sulmuesin Beto që devijon në rrjetë një pasim të Suçes.
Në pjesën e dytë, Milani provon të reagojë, por është sërish Udinese që godet. Këtë herë topin në rrjetë e çon Ehizibue që gjendet i pamarkuar në zonë dhe me lehtësi vulos rezultatin final të takimit. Minutat e mbetura nuk krijojnë shumë raste të pastra për shënim dhe rezultati qëndron i pandryshuar.
Një tjetër hap fals për Milanin që komplikon më shumë luftën për një vend në zonën Champions, ku tashmë mund të humbasë edhe vendin e katërt në rast të një suksesi të Romës. Nga ana tjetër Udinese ngjitet në vendin e tetë në kuotën e 38 pikëve dhe vazhdon të ëndërrojë për një vend në kupat e Europës. /oversport.tv
Foto: Lega Serie A, Twitter