Milinkovic-Savic objektivi i Juventusit, Lotito vendos çmimin e lojtarit

E ardhmja e Sergej Milinkovic-Savic te Lazio mbetet ende e paqartë. Kontrata e mesfushorit serb me klubin kryeqytetas skadon sezonin e ardhshëm, por 28-vjeçari mund të largohet që këtë verë.

Megjithatë, presidenti i Lazios Claudio Lotito nuk do ta linte të lirë Milinkovic-Savic për më pak se 30 milionë euro. Deri më tani nga klubet e interesuara për mesfushorin e Lazios mbetet në “pole position” Juventusi.

Siç raporton italiania “Sportmediaset”, bardhezinjtë kanë një marrëveshje me lojtarin për një pagë 6 milionë euro në sezon dhe në negociata me bardhelkaltrit mund të përfshihet dhe Nicolo Rovella.

Edhe pse Adrien Rabiot rinovoi kontratën për një vit tjetër me Juventusin, “zonja e vjetër” kërkon të ketë sezonin e ardhshëm një ekip konkurrues për garën për titull kampion në Itali. /oversport.tv