Milwaukee në krizë, tjetër humbje në shtëpi! Fitojnë Lakers dhe Nets

Tjetër humbje për Milwaukee në NBA: pa shumë titullarë por me Antetokounmpon në fushë, Bucks-at humbasin në shtëpi 107-95 kundër Utah.

Fitojnë Los Angeles Lakers dhe Brooklyn Nets, që mposhtin respektivisht Houston Rockets (95-85) dhe Detroit Pistons (117-91). Gëzon edhe Dallasi që mund 105-99 Sacramento Kings. Vazhdon të jetë surpriza e këtij fillim sezoni Charlotte, që mposht 125-113 Portlandin.

MILWAUKEE BUCKS-UTAH JAZZ 95-107

Milwaukee, kampionët në fuqi të NBA, pësojnë humbjen e katërt në 7 ndeshje të luajtura këtë sezon në kampionat. Bucks-at mposhten në shtëpi nga Utah, që ngjitet në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit së bashku me Golden State.

Vendasit lënë pushim Middleton, Tucker dhe Lopez, por MVP-ja i sezonit të kaluar, Giannis Antetokounmpo, është në fushë dhe me 25 pikë të realizuara është i vetmi që mundohet t’u rezistojë miqve.

Por Utah, i udhëhequr nga Donovan Mitchell (28 pikë) dominon dhe u shkakton vendasve humbjen e tretë radhazi në shtëpi. Jazz, reagojnë pas humbjes së parë sezonale kundër Chicagos dhe ngjiten në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit.

BROOKLYN NETS-DETROIT PISTONS 117-91

Brooklyn shkatërron Detroitin dhe shijon një super James Harden, që realizon “Triple Double” e parë sezonal (18 pikë, 10 rebound dhe 12 asist). Nets-at dominojnë gjatë gjithë takimit dhe nuk e vënë në dyshim fitoren për asnjë moment.

Përveç Harden një kontribut të madh ka dhënë edhe Kevin Durant me 23 pikët e tij dhe LaMarcus Aldridge me 16 pikë. Për Pistons-at kjo ishte humbja e 5-të në 6 takime të zhvilluara këtë sezon në kampionat.

LOS ANGELES LAKERS-HOUSTON ROCKETS 95-85

Edhe Lakers-at arrijnë fitoren e katërt në kampionat dhe suksesin e dytë radhazi, pasi kanë mposhtur 95-85 Houstonin. Vendasit dominojnë në tre periodat e para dhe kanë luksin që të ulin ritmin në periodën e fundit ( munden 20-31) pa vënë në dyshim fitoren për asnjë moment.

Carmelo Anthony është ai që shënon më shumë në këtë takim (23 pikë), ndërsa Russell Westbrook realizon 20 pikë. Një ndeshje prej një lojtari normal ajo e LeBron James me 15 pikë për 34 minuta, ndërsa Anthony Davis bën një “double double” (16 pikë dhe 13 rebound), të njëjtat numra arrin edhe Christian Wood për Houstonin.

Ndeshjet e tjera të mbrëmjes në NBA:

DALLAS MAVERICKS-SACRAMENTO KINGS 105-99

CHARLOTTE HORNETS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 125-113